image009

Arkitektura e shkollave

Besmira Caca Hulumtim Leave a Comment

Pjesë nga hulumtimi që Atelier Albania po kryen në lidhje me rimendimin e shkollave si qëndra komunitare.

Shkollat dikur

Ndërtimi i shkollave në Europë filloi kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, kur u rregullua sistemi arsimor. Deri në atë kohë mësimi zhvillohej në shtëpinë e një mësuesi. Diskutimet rreth arkitekturës së shkollave filluan herët, të nxitura nga metoda e re angleze e mësimdhënies, e njohur si metoda e mësimdhënies të ndërsjelltë. E konceptuar për të përballuar numrin e madh të fëmijëve në qytetet industriale me rritje të madhe, metoda trajnonte studentët më të avancuar për tu bërë tutorë, duke mundësuar që një mësues i vetëm të edukonte qindra fëmijë. Mësimdhënia e ndërsjelltë kërkonte arredime dhe mobilje specifike.

Çështjet e higjienës ishin emergjente, veçanërisht përsa i përket dritës, ngrohjes dhe mobilimit të klasave. U kompletuan dy lloje strukturash. Shkollat rurale, vetëm me një ose dy klasa, kishin arkitekturë modeste dhe ekonomike, ndërsa shkollat urbane, shpesh shumë të mëdha dhe madhështore, u kritikuan si “shkolla pallate”. Shkollat urbane zakonisht kishin dy ose tre kate. Korridoret e gjata qendrore kishin klasa me tavan të lartë në të dy anët, duke e bërë ndërtesën më shumë se njëzet metra të thellë.

Shqetësimi në rritje i tuberkulozit nxiti një valë të parë kriticizmi. Kongreset ndërkombëtare mbi higjienën në shkolla, e para e të cilave u mbajt në Nüremberg në 1904, tregoi hapur problemet e ventilimit dhe instalimet sanitare të dobëta në ndërtesat e shkollave, si dhe mungesën e mbikqyrjes shëndetësore. Doktorët kërkuan që drita dhe ajri të hyjnë në ndërtesë, duke përqafuar qëllimet e arkitektëve të lëvizjeve moderne, të cilët në fjalët e Le Corbusier, po thërrisnin për një “shpirt të ri”, një shtëpi “si një marrëse për dritën dhe diellin”. Dritaret u zmadhuan, ndonjëherë deri duke u shndërruar në dyer rrëshqitëse, terracat u shndërruan në terraca për helioterapi, dhe shqetësimet për ventilimin çuan në rekomandimin për zvogëlimin e thellësisë së ndërtesave. Korridoret duhet të kishin klasa vetëm në njërën anë. Shkolla e parë pavilion u ndërtua në 1907, në Staffordshire, në Angli. Më vonë, disa arkitektë propozuan madje ndërtesa një katëshe, në mënyrë që çdo klasë të mund të hapet në ambjentet e jashtme.

Në 1904, Dr. Bernhard Bendix dhe pedagogu Hermann Neufert themeluan shkollën e parë të hapur: Waldeschule të Charlottenburg (shkollën e pyllit), afër Berlinit, Gjërmani. Mësimi zhvillohej në pyll, për t’i ofruar terapi në ajër të pastër banuesve të rinj të qyteteve me pre-tuberkuloz. Eksperimenti, i kryer nga Kongresi Ndërkombëtar i Higjienës, u implementua menjëherë në të gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut. Shpesh këto shkolla ishin larg qyteteve, të vendosura në tenda apo baraka të parafabrikuara ose struktura të ripërdorueshme dhe zhvilloheshin gjatë verës. Pas Luftës I Botërore lëvizja u bë e organizuar. Kongresi i parë Ndërkombëtar u bë në Paris në 1922, me iniciativën e Ligës së Edukimit në Ajër të Hapur, të krijuar në Francë në 1906.

Lufta II Botërore e ndërpreu evoluimin e ndërtesave të shkollave. Në fillim të viteve 50, shkatërrimi i shkaktuar nga lufta dhe emergjenca e boom-it të lindjeve, sollën si pasojë ndërtime të reja, për t’iu përgjigjur nevojave në rritje. Anglia perfeksionoi një sistem me struktura me hekur të lehtë për shkollat, të cilat funksiononin veçanërisht mirë me strukturat e planeve të shtëpive private. Përveç disa vendeve ku ndërtesat vazhduan të mbeteshin të dendura dhe të larta, si në Francë apo Spanjë, modeli i shtëpive individuale dominoi sidomos në Gjërmani, Danimarkë, Hollandë dhe Zvicër. Dëshira për të ofruar aktivitete të ndryshme për fëmijët dhe për të inkurajuar autonominë e tyre e transformoi shkollën në një fshat të vogël, të pajisur me shumë hapësira dhe dhoma të përbashkëta, p.sh. projekti i Hans Sharoun i 1951 për Darmstadt, të përfunduar në Marl, në Gjërmaninë Perëndimore në 1960. Këto shkolla ndonjëherë ishin të hapura për prindërit dhe shpesh edhe për komunitetin. Ka gjithashtu raste, si në fshatrat e vegjël të rajonit Grison në Zvicër, ku gjimnazi është gjithashtu një hapësirë publike. Ndërtesat monumentale të shkollave praktikisht janë zhdukur gjithkund, duke i lënë rrugë thjeshtësisë dhe mjediseve te hapura. Sot shkollat pritet të jenë një hapësirë jetese për studentët dhe një vend takimi për komunitetin.

Shkollat sot

Shkollat me plan të hapur dhe fleksibël preferohen sot ndaj atyre me plan tradicional. Kjo ka nevojë për konsiderim të kujdesshëm të nocioneve të hapësirave të shërbyera dhe hapësirave shërbyese. Gjithashtu rritja e kërkesës për hapësira të dedikuara për pushime dhe punë të përbashkët, do të thotë që hapësirat e qarkullimit duhet të rimendohen dhe të zmadhohen në mënyrë që të strehojnë aktivitetet e mësimit.

Përgjithësisht dominojnë katër tipe shkollash: me oborr, bllok, grumbull dhe qyteza.
Është e rëndësishme të vërehet se kriteri bazë për këtë grupim janë morfologjia dhe plani i brendshëm.

image007

Në zonat urbane preferohen zonat e “mbrojtura”. Nga ana tjetër, aty ku peisazhi rural ose suburban është një element i rëndësishëm, përdoren zakonisht oborre të hapura në formë L-je apo U-je. Shumica e ndërtesave kanë një planimetri të vjetëruar tradicionale, me një korridor që mundëson hyrjen nëpër klasa.

Tipi bllok karakterizohet nga vëllime kompakte dhe planimetri të thjeshta. Një karakteristikë e dytë e rëndësishme e këtij tipi është një hapësirë e madhe (dhe unike) pëe shoqërizimin, e cila çon direkt në hapësirat kryesore të mësimit (klasat, studio, laboratoret). Kolegji Ørestad në Kopenhagen, i cili është pothuajse një sjkollë pa klasa, formësohet rreth një atriumi qëndror, ku një sistem kompleks shkallësh krijon akses tek hapësirat e hapura për mësim dhe pushim. Hapësira mund të përdoret njëkohësisht edhe për aktivitete të ndryshme dhe ofron akses praktik tek pjesët e tjera të ndërtesës. Efikasiteti i këtij tipi bazohet në kushtin që hapësira kryesore e shoqërizimit vërtetë popullohet nga studentët: nëse kjo hapësirë nuk do të ofronte mundësi të shumta dhe fleksible për aktivitetet, ajo do ishte thjesht një hapësirë qarkullimi dhe do të bëhej një “hapësirë shërbyese”.

Karakteristika kryesore e tipit grumbull është që ndërtesa fragmentohet në vëllime të ndryshme, të cilat mund të përfaqësojnë njësi të pavarura pedagogjike. Tipi grumbull ka disa variacione, që varen nga skema e qarkullimit, në nivelin e ndërtesës si një e tërë dhe të njësive pedagogjike: ajo mund të ketë ose një planimetri gjatësore ose një atrium qendror.

Tipi qytezë karakterizohet nga një shumëllojshmëri hapësirash dhe funksionesh prej nga rrjedh edhe metafora në emërtimin e kësaj tipologjie. Hapësira më kryesore publike rrethohet nga “ndërtesat” më interesante (biblioteka, auditori).

Ka dy lloje kryesore të kësaj tipologjie. Së pari janë “blloqet komplekse”, shpesh ndërtesa një katëshe, të cilat kanë një gjurmë shumë kompakte. Në raste të tilla metafora e qytezës materializohet në një kombinim të hapësirave të brendshme. Për shëmbull shkolla “Jatta” konsiston nga një vëllim kubik dhe një numër oborresh që lejojnë dritën natyrale edhe në sipërfaqet më të brendshme. Brenda kësaj “kutie”, qarkullimi strukturohet në hapësira të ndryshme, me “sheshe” dhe “rrugë”. Së dyti, ka “struktura të përbëra”, të formuara nga disa vëllime të organizuara në mënyrë të lirë. Nocioni i hapësirës urbane krijohet nga kompleksiteti dhe hapësira e brendshme dhe pasuria e formave tre dimensionale.

Optimizimi i raportit neto bruto është një kriter themelor, duke patur parasysh buxhetet e ngushta për ndërtimin e shkollave. Së pari, është e rëndësishme të vërehet se kodet e ndërtimit në fuqi dhe shumë manual arkitekture zakonisht e asimilojnë hapësirën e qarkullimit me “hapësirat shërbyese”. Në këtë pikëpamje, tipet e ndërtesave bllok kanë performancën më të mirë. Tipet grumbull dhe qytezë mund të jenë gjithashtu shumë efikase nëse kanë një atrium qendror. Tipet me oborr nga ana tjetër kanë tendencë të humbasin shumë hapësirë qarkullimi, ngaqë ato zakonisht janë sipas modelit tradicional te klasave me korridor të ngushtë.

Përsa i përket dendësisë së ndërtimit, tipet bllok mund të përdoren më shumë në zonat urbane, për shkak të gjurmës së tyre kompakte dhe sepse ato mund të vendosen në vende jo të favorshme, p.sh. afër infrastrukturave, për nga stili i tyre introvers. Ndryshe nga tipi bllok, tipet me oborr, grumbull dhe qytezë janë më të preferuara në vendet suburbane dhe rurale sepse zakonisht ato kanë nevojë për një raport më të madh parcelë/dysheme.

Për nga niveli i arsimimit, tipet bllok janë më të përshtatshme për shkollat e mesme, ngaqë kurrikula e tyre kërkon grupe studentësh të përdorin hapësira të ndryshme gjatë ditës. Çdo orë studentët lëvizin nga dhe tek dhoma të ndryshme, prandaj hapësirat e shoqërizimit janë plot gjallëri. Tipet grumbull dhe qytezë mund të përshtaten më mirë për shkolla fillore dhe parashkollore.

Përdorimi i ambjenteve të shkollës për aktivitetet e mësimit, kur ato janë të mbrojtura dhe të lidhura mirë me interierin, është bërë vazhdimisht më i rëndësishëm në kontekstin e edukimit me ndërgjegjien mjedisore. Metodat e mësimit që bazohen në aktivitete më projekte, të cilat përfshijnë studentët në mënyre aktive po fitojnë popullaritet. Kjo ka sjellë dy pasoja, të cilat kanë impakt në dizenjimin e ndërtesave. Së pari, klasa tradicionale nuk është më i vetmi vend për të mësuar, meqë ajo mund të ketë vetëm një numër të kufizuar aktivitetesh mësimi. Së dyti, ajo ka sjellë një rimendim të përgjithshëm të strukturës së ndërtesës dhe ka çuar në fleksibilitet më të madh dhe efikas në përdorimin e hapësirave.

Besmira CacaArkitektura e shkollave