ml_Sowjetmoderne 1955-1991_06

Përshtypje nga Leksioni i Dietmar Steiner mbi Modernizmin Sovietik

Opinion Leave a Comment

Në Muzeun Historik Kombëtar, më datë 31 Mars 2014, u zhvillua një leksion tepër interesant mbi trajtimin e objekteve të mbetura nga periudha e Bashkimit Sovjetik. Prezantues ishte Ark. Dietmar Steiner, drejtori i Qendrës së Arkitekturës në Vienë, i cili dha një prezantim përmbledhës të projektit kërkimor të titulluar “Modernizmi Sovjetik”. Projekti heton arkitekturën e 14 ish-republikave sovjetike: Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Estonia, Gjeorgjia, Letonia, Lituania, Moldavia, Kazakistani, Kirgizistani, Ukraina, Uzbekistani, Turkmenistani dhe Taxhikistani.

Ky prezantim hedh drite mbi një periudhë kohore disi të panjohur dhe tepër të izoluar të arkitekturës sovjetike të shfaqur rreth gjysmës së shekullit të 20-të. Ndërkohë kur arkitektura staliniste dhe konstruktivizmi njiheshin më në detaj në botën perëndimore. Ky projekt kërkimor merret pikërisht me këto problematika; nga zbardhja dhe evidentimi i tipologjive të këtyre objekteve dhe deri tek mënyrat e reja të shfrytëzimit ose të ripërdorimit të tyre.

Në këtë kontekst, Ark. Steiner, e nisi leksionin duke paraqitur problematikat e “Piramidës” së Tiranës. Ai theksoi simbolizmin e saj si sukses i kohës kur u ndertua, duke vënë nën mikroskop perceptimet ndaj saj pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri. Më e rëndësishme për të ishte ruajtja dhe ripërdorimi i kësaj tipologjie objektesh, të cilat bëjnë pjesë në memorien kolektive e kanë vlerë për historinë e arkitekturës shqiptare. Ark. Steiner paraqiti dhe një seri shëmbujsh të suksesshëm të rasteve të ngjashme në objekte të ndryshme të ish-Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë.

Në fund të leksionit, ai mori pyetje nga audienca mbi këto problematika që ekzistojnë në vëndin tonë dhe theksoi domosdoshmërinë për një ndërhyrje urgjente në ndërtesat që ende presin vlerësim në aspektin historik e arkitektonik. Ai përmendi gjithashtu se teknologjia e dobët në kohën e ndërtimit të këtyre objekteve dhe mungesa e burimeve financiare për ruajtjen e tyre e bëjnë situaten tepër emergjente. Shpresa jonë është se këto ndërtesa mund të restaurohen, reabilitohen, dhe/ose modernizohen për tu përdorur në funksion të shoqerisë.

Leksionin e plotë mund ta ndiqni në: http://atelieralbania.planifikimi.gov.al/puna-jone/dietmar-steiner-leksion-mbi-modernizmin-sovietik/

Përshtypje nga Leksioni i Dietmar Steiner mbi Modernizmin Sovietik